Në shënim të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kuvendi Komunal i Podujevës mbajti mbledhje solemne. Seanca nisi me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror të Republikës së Kosovës dhe më pas kryesuesi i Kuvendit Komunal, Isak Shabani, i ftoi të pranishmit për një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e vendit.
Ai tha se 17 Shkurti i 2008-s ndryshoi fatin e një populli dhe se ajo ditë, sipas tij, nuk ishte vetëm një akt juridik, por ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të gjatë rezistence.
“Pavarësia e Kosovës është rezultat i një përpjekje kolektive: i rezistencës paqësore, luftës çlirimtare dhe i mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë. Në këtë rrugëtim hiostorik Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbën kapitullin më të lavdishëm të rrugëtimit për liri”, u shpreh Kryesuesi Isak Shabani.
Ai tha se në këtë ditë feste ndihet mungesa e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, theksoi se 17 Shkurti i vitit 2008 është dita që shënon një kthesë të madhe në historisnë e re të Kosovës.
“Kur shënojmë 17 Shkurtin, nuk mund të mos kujtojmë gjithë atë përpjekje shekullore për liri e pavarësi të atyre burrave e grave, djemve e vajzave që kanë punuar pareshtur gjatë gjithë historisë sonë kombëtare. Nuk duhet të harrojmë gjithë atë sakrificë të shumë gjeneratave që dhanë gjithçka nga vetja që sot ne të jemi të lirë dhe zot të vetëvetes”, tha Kryetari Bulliqi.
Sipas tij, kjo përpjekje shekullore u përmbyll me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por pa harruar edhe mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-në, që e ndihmuan luftën tonë çlirimtare.
“Në këtë rrugëtim tonin për liri e pavarësi nuk mund të kalojmë pa e përmendur edhe kontributin e Presidentin historik Dr.Ibrahim Rugovën, të veprimtarit të pashoq Adem Demaçi, të komandantëve Adem Jashari e Zahir Pajaziti e shumë të tjerë që në mënyra të ndryshme kontribuuan për liri e pavarësi”.
Në këtë seancë solemne të pranishëm ishin edhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, përfaqësues insitucionalë e fetarë, etj.
17.02.2026, Podujevë
Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim






