Urimi i Myftiut Naim ef. Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan
Të nderuar vëllezër e motra,
Të dashur qytetarë!
Nesër fillon muaji i bekuar Ramazan, muaji i agjërimit, i mirësisë dhe i faljes. Çdo vit, të gjithë ne e presim këtë muaj me padurim, ngase Zoti na ka nderuar me të. Është muaj në të cilin me të madhe përçohen mesazhe urimi e përgëzimi, është muaj i lutjeve dhe adhurimeve, ku shtohen dashuria për fenë dhe Zotin, muaj me mirësi dhe begati më të shumta seç dikush mund t’i numërojë. Është muaj në të cilin besimtari i sinqertë, përmes agjërimit, synon përsosjen e tij morale dhe etike, synon ngritjen e nivelit të solidaritetit material në pikat më të larta, muaj që me veprat dhe përkushtimin e lartë, synon lehtësimin e rrugës së besimtarit për në Xhenet.
Në çdo Ramazan, ne mbushemi me më shumë shpresë e dhembshuri, ngase ky është një muaj i bujarisë dhe mirësisë, një muaj madhështor në të cilin përkushtimi dhe devotshmëria shtohen dhe besimtarët ndjejnë gëzim edhe më të madh në zemrat dhe shpirtrat e tyre, muaj i cili edhe më shumë na bashkon dhe na e forcon unitetin ndërmjet nesh.
Ramazani vjen për t’i rikthyer shpirtrat e uritur në tryezën e Mëshirëplotit, për të futur mëshirë dhe devotshmëri në zemra, për të forcuar krijesën njeri me durim, qëndresë, vullnet, bujari e vendosmëri, për t’i rrënjosur në kraharorët e fëmijëve tanë dashurinë, bindjen dhe besimin në Zotin e Madhëruar.
Muaji i bekuar Ramazan është muaj që Zoti xh.sh. e veçoi nga muajt e tjerë të vitit, duke e dalluar atë me virtyte të larta dhe mirësi të pakufishme. Në Ramazan, që me të drejtë quhet zotëria i muajve të tjerë, përmes melekut Xhibril, tek i Dërguari Muhamed a.s., u zbrit edhe shpallja fisnike, siç Zoti xh.sh. e thotë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, udhërrëfyes për njerëzit.”
Në Ramazan, bashkë me Kuranin, zbriti dhe zbret mëshira, shumëfishohen shpërblimet e veprave dhe punëve të mira, falen mëkatet dhe veprat e liga, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen ato të Xhehenemit.
Ramazani, përveçse është muaj kur shpallja e qiellit ndriçoi errësirën e tokës, është gjithashtu edhe një epokë e re në të cilën njerëzimi mori mesazhet e fundit nga Zoti, mesazhe këto që përfaqësojnë një pikë kthese në rrugën e njerëzimit.
Është muaj i agjërimit që konsiderohet një nga pesë shtyllat e Islamit, pasi besimtarët abstenojnë nga ushqimi dhe pija dhe qëndrojnë larg nga gjërat e ndaluara nga agimi deri në perëndim.
Agjërimi është një adhurim specifik që bëhet vetëm për Zotin xh.sh., është një nga veprimet më të mëdha të afërsisë, është praktikë e të drejtëve dhe simbol i të devotshmëve, pastron shpirtin dhe përsosë karakterin, është shkolla e devotshmërisë dhe vendbanimi i udhëzimit. Kushdo që hyn në këtë muaj me qëllim të sinqertë dhe duke e ndjekur rrugën e drejtë, do të dalë prej tij me një dëshmi të drejtë dhe do të jetë me të shpërblyerit në këtë dhe në botën tjetër.
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Në këtë natë të madhe dhe në këtë atmosferë hyjnore, ftoj besimtarët tanë kudo që janë, që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke i ruajtur e kultivuar lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe skamnorëve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet vete.
Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh. dhe të Muhamedit a.s., të dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve fetare islame në shtetin tonë, e mos i kushtoni vëmendje thirrjeve devijuese nga njerëz të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm!
Të nderuar vëllezër e motra,
Njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit mbi supet tona, mos i privoni ata nga të drejtat e tyre në pasurinë tonë që Zoti na e dhuroi! Ndihmoni dhe mbështetni ata duke e ruajtur krenarinë dhe dinjitetin e tyre!
Lutemi që i Plotfuqishmi ta pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i japë kombit, shtetit e fesë sonë, siguri dhe stabilitet! Lutemi që konfliktet, luftërat dhe gjakderdhja ndërmjet njerëzve pa dallim race, ngjyre, feje apo kombi, të marrin fund!
Zoti xh.sh. na bekoi dhe na nderoi që e arritëm këtë muaj, andaj, lutemi që, o Zot ashtu siç na begatove me Islamin fe, në muajin Ramazan, të na dhurosh mëshirën dhe faljen Tënde në të dy botët!
Myftiu Naim ef. Tërnava
Prishtinë,
10.03.2024