Ursula von der Leyen do të synojë që të fitojë një mandat të dytë si shefe e Komisionit Evropian.
Nëse e fiton, ajo do të mund të bëhet ndër politikanët më të rëndësishëm që përfaqëson bllokun evropian me 450 milionë banorë, brenda një gjenerate.
“Po e marrë këtë vendim me vetëdije plotë dhe të menduar mirë. Dua të garoj për një mandat të dytë në pozitë dhe jam e lumtur që partia më ka nominuar sot”, ka thënë von der Leyen në një konferencë për media, pas takimit të Partisë Demokristiane në Berlin, raporton REL.
Pas pesë vjetëve në krye të bllokut me 27 anëtarë dhe përballjes me shumë sfida, përfshirë pandeminë e koronavirusit dhe dy vjetët e para të luftës së Rusisë në Ukrainë, emri i 65-vjeçares është shtyrë përpara nga partia e saj gjermane Unioni Demokristian, dhe kjo gjë do të zyrtarizohet kur një grup partiak në nivel evropian, të mblidhet në Bukuresht, muajin e ardhshëm.







