Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar sot në mëngjes në fshatin Xerxe të Rahovecit, ku persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në një lokal tregtar dhe kanë vjedhur pajisje elektronike me vlerë të konsiderueshme, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informacioneve nga burime të besueshme, më 27 tetor 2025, rreth orës 08:30, S. G. menaxher i pikës së shitjes “Gorenje” në Xerxe, ka raportuar në Polici se gjatë natës persona të paidentifikuar kishin thyer derën dhe kishin hyrë brenda objektit, prej nga dyshohet se kanë marrë laptopë, telefona dhe pajisje të tjera elektronike.
Njësia patrulluese dhe ekipi i krim-teknikës kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
I dëmtuari është intervistuar, duke deklaruar se vlera e dëmeve është e konsiderueshme, por për momentin nuk është përcaktuar me saktësi.
Aktualisht, nuk ka të dyshuar për rastin.
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.









