Komisioni Zgjedhor i Serbisë shpalli sot listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet” të kandidatëve për deputetë të Kuvendit Popullor në zgjedhjet e planifikuara për 17 dhjetor.
Në këtë listë janë disa kandidatë nga Kosova, ndër të cilët edhe ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Përveç tij, në listën e partisë së Vuçiqit SNS të miratuar sot janë edhe disa kandidatë serbë nga Kosova.
Në pozitën e 27-të është kryetari i fundit i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili thuhet se është i diplomuar për ekonomi.
Si kryetar i Listës Serbe ka qenë kryetar i Mitrovicës së Veriut, e më pas nga pushteti lokal kaloi në atë qendror.
Në të njëjtën kohë, që nga 24 tetori, kur u formua kryesia e re e Listës Serbe, në krye me mjekun Zlatan Elek, Rakiq nuk është më kryetar i kësaj partie.
Në listën zgjedhore me emrin e presidentit serb ishte edhe Danijela Vujiçiq, e cila u zgjodh edhe deputete e Partisë Progresive Serbe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020. Vujiçiq ishte edhe kryetare Ekipit Menaxhues për draftin e Asociacionit. Tani është në vendin e 42-të në listën zgjedhore të SNS-së.
Një tjetër serb i Kosovës që ishte në listë, në vendin e 82-të, Dejan Gureshiq. Ish-kryetar i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore, ai është dekan aktual i Fakultetit të Shkencave dhe Matematikës në fakultetin paralel në Mitrovicë.
E 98-ta në listë është kandidatja e vetme me vendbanim në jug të Ibrit – në Graçanicë, Sonja Iliq, mjeke nga Graçanica.//Paparaci







