Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur rreth përgjimit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe Sllavko Simiqit nga Lista Serbe.
Në një konferencë për media, sot Haxhiu ka thënë se ky veprim është i paligjshëm, shkruan Arbresh.info.
Duke shtuar se audio-incizimi i publikuar është tendencë për të shfaqur të deformuar një komunikim që sipas saj, është i prerë, i montuar e i redaktuar.
“Zonja Kusari-Lila e ka sqaruar edhe mbrëmë në tërësi tendencën për të shpërfaqur të deformuar një komunikim që ishte i prerë, i montuar dhe i redaktuar sipas tendencave të tyre. Ju duhet ta kuptoni që Lista Serbe është një parti politike që përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, por fatkeqësisht jo në mënyrën më të keqe”, është shprehur ministrja.
Përveç kësaj ministrja e Drejtësisë, ka potencuar se në vend se Lista Serbe të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, ajo po i bindet presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe po merret me shantazhe e kërcënime.
Madje shtoi se Lista Serbe nuk ka mundur ta shantazhojë e as t’i bëjë presion Kusari-Lilës.
Në vend që të përfaqësojë qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, Lista Serbe e cila është formuar nga partitë opozitare me marrëveshjen e vitit 2013, i bindet Vuçiqit dhe merret me shantazhe e kërcënime. Ato që janë publikuar kanë një arsye – efekti i tyre ka qenë zero. Lista Serbe nuk ka mundur ta shantazhojë e as t’i bëjë presion Mimoza Kusari-Lilës sepse po të shkonin përpara kërkesat e tyre, ato s’do të publikoheshin”, ka deklaruar Haxhiu./Arbresh.info/