Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, pas takimit me dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, tha se në takim kanë kërkuar heqjen e masave të BE-së.
“Ne nënvizuam largimin e masave dhe nevojë që Kosova vazhdon të dënohet për shkak të paaftësisë së Qeverisë. Nuk kemi folur specifikisht për atë sepse është detyrë e kryeministrit, ka detyra kryeministri. Palët në këtë proces po ofrojë komente në këtë dokument, po e ruajnë procesin”, tha ai.
Haziri shtoi se të gjithë po mbahen të terr për shkak të mospublikimit të draftit të Asociacionit nga ana e kryeministrit Kurti.
“Ne u takuam për të disatën herë. Ndarja e kohës së tij është për tu vlerësua. Po mbahemi në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit. Unë konfirmova angazhimin e LDK-së që dialogu nuk ka opsion dhe situata pas 24 shtatorit gjendja ka ndryshuar. Por Qeveria nuk ka arritur ta kthej imazhin e Kosovës. Kosova e ka pranuar edhe planin e zbatimit edhe modelin evropian. Nuk ka shumë kohë, nuk guxon të humbim këtë moment. Çdo ditë rrezikojmë të humbim kohë, është çështje shumë e ngushtë kohore që lidhet me zhvillimet në rajon edhe në botë. Ai ka qenë i angazhuar, po përgatite për konventën e partisë”, ka thënë Haziri./Insajderi






