Ish-kryeministri i Kosovës, nga Lidhja Demokratike, Isa Mustafa, beson që partitë opozitare e kanë parë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dokument ky i prezantuar në takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, transmeton Reporteri.net.
Ish-kreu i LDK-së u shpreh i bindur se nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri e ka konsultuar draftin sikurse edhe të gjithë krerët e opozitës që ishin në takim, duke shtuar se përfaqësuesi i BE-së nuk ka pasur arsye që dikuj t’ia prezantojë dokumentin e dikuj jo.
“Të gjitha plotësim ndryshimet e statutit duhet t’i nënshtrohen Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk e kam parë draftin. Draftin duhet ta shohë Kuvendi, duhet ta shohin deputetët. Duhet ta shohin partitë opozitare, edhe pse po thonë që nuk e kanë pa unë besoj që e kanë parë, por duan që t’i ikin përgjegjësisë, të mbulohen. Sepse nuk ka mundësi që në takim Lajçaku të zgjedh se kujt t’ia prezantojë e kujt jo draftin. Nuk i besoj as Hazirit e as LDK-së që nuk e kanë pa draftin”, u shpreh Mustafa.
“Patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft-statutit, pra që ta lexojmë në tërësi”. Kjo deklaratë e kryetarit të subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, del të jetë krejtësisht e pavërtetë.
Lajçak më 7 nëntor u takua në Prishtinë me Haradinajn, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, me të cilët bisedoi për draft-statutin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Për dallim nga Haradinaj, si Krasniqi ashtu edhe Haziri thanë se nuk e kanë parë dokumentin e draftit. Ata thanë se kanë kërkuar nga Lajçaku më shumë hollësi për këtë dokument./Reporteri






