Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me mërgimtarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilëve u ka bërë thirrje për të investuar në Kosovë.
“Nëse para tri dekadave, juve të dashur bashkatdhetarë ju kemi thënë sakrifikoni për të kontribuar, tash ju themi investoni për të fituar”, ju tha ai të pranishmëve”, tha Kurti, ka njoftuar zyra për media e Qeverisë.
Sipas njoftimit, Kurti renditi sundimin e ligjit, besimin në institucione, reformat ekonomike, qeverisjen e mirë dhe progresin demokratik si karakteristika që e kanë përshkruar Qeverinë që e drejton në vitet e fundit, përkundër sfidave globale.
“Veçoi mbështetjen për gratë dhe vajzat, si në edukim ashtu edhe në punësim dhe rritje të bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e energji”, thuhet tutje në njoftim.AP






