Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë janë të një rëndësie të madhe për serbët në vend, thonë për Radion Evropa e Lirë qytetarë të Mitrovicës së Veriut dhe Graçanicës, përfaqësues të tyre politikë dhe të shoqërisë civile.
Të gjithë pajtohen se politika e bojkotimit të institucioneve të Kosovës duhet të ndryshojë dhe se problemet e komunitetit serb duhet të institucionalizohen.
Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprim Afirmativ Social (CASA) thotë se pjesëtarët e komunitetit serb janë të vetëdijshëm se politika e bojkotimit ka dështuar.
Sipas tij, ka një numër të madh të qytetarëve që do të votojnë në zgjedhjet e Kosovës për herë të parë.
“Mendoj se këtë herë pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e Kosovës do të jetë rekorde”, thotë ai.
Dushan Radakoviq, koordinator rajonal i Demokracisë në Veprim – koalicion i organizatave joqeveritare që monitoron proceset zgjedhore në Kosovë – thotë se zgjedhjet e 9 shkurtit janë të rëndësishme për komunitetin serb, meqë janë të parat që nuk bojkotohen në dy vjetët e fundit.
Megjithatë, ai nuk pret që ata të inkurajohen lehtë për të votuar, për shkak të të gjitha ngjarjeve që kanë ndodhur pas daljes së serbëve nga institucionet e Kosovës.
Ata janë tërhequr pas thirrjes së Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – në përpjekje për të parandaluar zëvendësimin e targave serbe me targa të Kosovës.
Por, pavarësisht kësaj, targat serbe janë zëvendësuar dhe Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë për të konsoliduar pushtetin në veri.
Mes tjerash, ajo ka shfuqizuar dinarin serb dhe ka mbyllur institucionet që kanë funksionuar brenda sistemit të Serbisë, e që Kosova i ka konsideruar të paligjshme.
Gjithashtu, pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – e kanë marrë kryetarët shqiptarë, për shkak se Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.







