Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit nga eksponentë të Vetëvendosjes, që kulmuan me komentet e kryetarit të këtij subjekti, Albin Kurti, për një kinse “çkapje të LDK-së nga PDK-ja”, duke aluduar në refuzimin e LDK-së për bashkëpunim me VV-në.
Abdixhiku ka theksuar se LDK-ja nuk ka kohë të merret me këto “sugjerime”, pasi është e angazhuar në nëntë garat e ardhshme zgjedhore, ndërsa ka paralajmëruar se të dielën partia do të dalë fituese.
Postimi i plotë i kreut të LDK-së:
Kur do ta kuptojnë? ‘Kundërshtimet e juaja s’na lënë përshtypje; kemi parë se çfarë duartrokisni!’
I falënderojmë të gjithë eksponentët e Vetëvendosjes dhe kundërshtarët tanë ideologjikë, që këto ditë po na tregojnë se si duhet të udhëhiqet LDK-ja, çka dëshiron elektorati ynë dhe si duhet të jetë e ardhmja jonë si parti.
Jemi të bindur se e kanë për “të mirën tonë”.
Por të na mirëkuptojnë e falin për mungesën e përgjigjeve ndaj brengave të tyre. Jemi bukur të zënë. Sepse momentalisht i kemi 9 gara për t’i bërë. Të dielen duam veç fitore; dhe na besoni, do të fitojmë!
                                
	    	
		    
                                
                                





