Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka takuar deputetin gjerman, Peter Beyer, shkruan Gazeta Demos.
Ai shkruan se Beyer është një mik i palëkundur i Kosovës dhe një kontribuues i madh në Ballkanin Perëndimor.
Postimi i plotë i tij:
Sot, në Prishtinë, pata një drekë pune me deputetin gjerman të Bundestagut, Peter Beyer.
Si një mik i palëkundur i Kosovës, si një ndër kontribuesit më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, Peter ka qenë gjithnjë zë i fuqishëm i interesave të Republikës sonë në katër mandatet paraprake në Bundestag e në secilin funksion brenda CDU-së. Takimet me të janë gjithmonë të veçanta.
E njoftova për përgatitjet tona për zgjedhjet e 9 shkurtit, sikurse dhe vizionin tim për një Kosovë të fortë ekonomikisht, me mundësi për investime e jetë të mirë, e me dyer të hapura drejt komunitetit euroatlantik.