Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh, sipas të cilit janë arrestuar 20 persona, ndërsa 10 të tjerë janë dërguar në mbajtje.
Në kuadër të operacioneve policore në Prishtinë, Gjakovë dhe në Pikën e Kalimit Kufitar në Mutivodë, janë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale, me ç’rast janë konfiskuar 14 kilogramë e 815 gramë marihuanë, katër telefona mobilë, dy pistoleta, 62 fishekë, 9,120 euro dhe 350 franga zvicerane.
Ndërkaq, në Mitrovicën e Jugut, policia ka arrestuar një person, të cilit i janë gjetur dhe sekuestruar 51.2 gramë kokainë, 1,155 euro, dy telefona mobilë dhe një peshore.
Gjatë kësaj periudhe janë raportuar edhe disa raste të dhunës në familje në Graçanicë, Gjakovë, Skenderaj dhe Vushtrri. Në mesin e viktimave janë edhe tri vajza, njëra prej të cilave e mitur.
Në raportin e Policisë përfshihen edhe raste të armëmbajtjes pa leje, ngacmimit, vjedhjes së rëndë, dhënies së ryshfetit dhe falsifikimit të dokumenteve.
Në Pikën Kufitare Qafë Prush është arrestuar një shtetas i Serbisë, i cili dyshohet se i ka ofruar ryshfet zyrtarit policor, ndërsa në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është arrestuar një shtetas i Turqisë, nën dyshimin për përdorim të një vize të falsifikuar të Estonisë.
Statistikat e përgjithshme të 24 orëve:
- 0 aksidente trafiku me fatalitet;
- 20 aksidente me të lënduar;
- 26 aksidente me dëme materiale;
- 2,396 tiketa trafiku të shqiptuara;
- 20 persona të arrestuar;
- 10 persona në mbajtje;
- 0 persona në ndalim policor;
- 1 person në vuajtje të dënimit.
Policia e Kosovës njofton se rastet janë duke u trajtuar nga njësitë përkatëse, në koordinim me prokurorinë. /Kosova.info/







