Nafije Bogujevci dyshohet të jetë gruaja që mbeti e vrarë nga të shtënat me armë zjarri të premten në Livoq të Ulët të Gjilanit.
Nga kjo ngjarje, e cila ndodhi rreth orës 14:25, mbetën të vrarë dy persona, një burrë dhe një grua, të dy rreth 30-vjeçarë. Një person tjetër u plagos dhe u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për Insajderin se i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici.
Sipas informatave fillestare të Policisë, dyshohet se mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Motivi i ngjarjes ende nuk dihet.
Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit për zbardhjen e plotë të rrethanave.





