Në nderim të heronjve të kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu u mbajtën aktivitete përkujtimore në Podujevë dhe Prishtinë.
Në fshatin Llugë, pranë shtatores dhe obeliskut të Afrim Zhitisë u bënë homazhe dhe u vendosën lule të freskëta.
Gjatë këtij aktiviteti përkujtimor, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, tha se me gjakun dhe sakrificën e veprimtarëve e intelektualëve si Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, u shkrua një nga kapitujt më të rëndësishëm të rrugëtimit drejt lirisë dhe nisi fundi i një regjimi gjakatar që për dekada shtypi popullin shqiptar.
“37 vjet më pas, kujtimi dhe respekti për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun mbeten të përjetshëm. Sakrifica e tyre është pjesë e historisë sonë kombëtare, ndërsa vepra dhe idealet për të cilat dhanë jetën do të jetojnë brez pas brezi. Ata mbeten shembull i guximit, vendosmërisë dhe dashurisë së pakufishme për atdheun”, theksoi kryetari Bulliqi.
Në këtë aktivitet përkujtimor mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës, Fahri Restelica, drejtorë të ekzekutivit e anëtarë të Kuvendit Komunal, familjarë e bashkëveprimtarë të Afrimit e Fahriut dhe qytetarë.
Në shenjë mirënjohje për ndërtimin e shtatores dhe rinovimin e obeliskut të Afrim Zhitisë, përfaqësuesit e Shoqatës Politike “Afrim Zhitia” i ndanë mirënjohje kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi.
Aktivitetet kanë vazhduar edhe në Prishtinë me homazhe pranë varreve të dy heronjve dhe në Kodrën e Diellit, aty ku ranë heroikisht, Afrimi e Fahriu.







